
Kapiteni i anijes “Besart”, Shafiq Aboud Asmander, ka apeluar publikisht për ndihmë, duke deklaruar se ai dhe katër marinarë të tjerë ndodhen prej 11 muajsh pa marrë pagat e tyre, ndërsa prej pesë muajsh janë të bllokuar në Gjirin e Shëngjinit pas dëmtimit të anijes.
Sipas kapitenit, anija u strehua në Gjirin e Shëngjinit për t’i shpëtuar një stuhie, por më pas pësoi dëmtime dhe aktualisht ndodhet e anuar me më shumë se 10 gradë. Ai pretendon se ekuipazhi jeton pa ujë të pijshëm dhe pa energji elektrike, ndërsa situata është rënduar edhe nga problemet shëndetësore të marinarëve.
Asmander thotë se është mbi 70 vjeç dhe vuan nga diabeti, probleme neurologjike dhe sëmundje të stomakut. Sipas tij, edhe pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit kanë probleme serioze shëndetësore, ndërsa ende nuk kanë marrë pagesat për punën e kryer.
Kapiteni pretendon se pronari i anijes është një shtetas shqiptar nga Durrësi dhe se, pavarësisht kërkesave drejtuar autoriteteve vendore, institucioneve të sigurisë dhe organizmave ndërkombëtarë, ende nuk është gjetur një zgjidhje për pagesat e prapambetura dhe kthimin e tyre në vendin e origjinës.
Në apelin e tij, ai i kërkon Presidentit të Republikës ndërhyrje për zgjidhjen e situatës, sigurimin e pagave të ekuipazhit dhe riatdhesimin e marinarëve.



