
Konjufca, Ismaili, Kica-Xhelili dhe Tahiri përballen për krizën politike dhe negociatat e dështuara
Nënkryetarët e katër partive kryesore politike në Kosovë kanë shkëmbyer akuza të forta gjatë emisionit “Debat Plus”, ku diskutuan për arsyet që çuan vendin në zgjedhje dhe përplasjet rreth zgjedhjes së presidentit.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, deklaroi se vendi u dërgua në zgjedhje nga partitë që, sipas tij, nuk ofruan zgjidhje konkrete për tejkalimin e ngërçit politik. Ai tha se Vetëvendosje bëri përpjekje për marrëveshje me LDK-në dhe PDK-në, por nuk u arrit konsensus për një kandidat të përbashkët për president.
Sipas Konjufcës, emri i presidentes Vjosa Osmani u rikthye në diskutim vetëm pasi LDK-ja kuptoi se ajo nuk ishte zgjedhja e Vetëvendosjes.
Nga ana tjetër, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, akuzoi Vetëvendosjen se gjatë negociatave kishte tentuar të impononte vullnetin politik të kryeministrit Albin Kurti.
“PDK e lexoi herët dëshirën e Kurtit për ta imponuar mendimin e tij dhe kërkuam që negociatat të mos zhvilloheshin në mënyrë të mbyllur”, u shpreh Ismaili.
Akuza të forta adresoi edhe nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e cila deklaroi se Kosova shkoi në zgjedhje për shkak të “pangopësisë për pushtet” të Albin Kurtit.
Sipas saj, kryeministri në detyrë synon të kontrollojë sa më shumë institucione shtetërore, ndërsa kriza politike po përdoret për të shmangur vëmendjen nga problemet e qeverisjes.
Ndërkohë, nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Vetëvendosje kishte të drejtën të formonte qeverinë si forcë fituese e zgjedhjeve, por e cilësoi procesin e konsultimeve për presidentin si një “spektakël politik”.
Tahiri deklaroi se që nga fillimi nuk kishte një përpjekje reale për të gjetur një figurë unifikuese për postin e presidentit dhe pretendoi se në fazat e fundit të procesit ishte bërë e ditur se Glauk Konjufca ishte një nga emrat e diskutuar për këtë post.
Debati mes përfaqësuesve të partive vjen në prag të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, të cilat konsiderohen ndër më të rëndësishmet për të ardhmen politike të Kosovës.






