Elseid Hysaj komentoi humbjen 0-1 të Shqipërisë ndaj Izraelit, duke u ndalur te debutimi i trajnerit Rolando Maran, incidenti me Gloukh dhe e ardhmja e tij në nivel klubesh.

Mbrojtësi kuqezi u shpreh se skuadra po përshtatet me idetë e trajnerit të ri, i cili sipas tij kërkon një futboll më sulmues.

“Ky është një trajner i ri, ka ide të reja që besoj me kohën do të sistemohen. Kemi pasur vetëm katër ditë kohë për të punuar në aspektin mbrojtës dhe sulmues. Por është pozitive, sepse sheh një lojë më sulmuese se sa kemi bërë më parë”, tha Hysaj për SuperSport.

Futbollisti i Kombëtares komentoi edhe momentin e tensionit me autorin e golit të Izraelit, Oscar Gloukh, pas festimit të golit në “Air Albania”.

“Futbolli kështu është. Nuk kam qejf të bëj këto skena. Por në momentin që pashë lojtarin me gishtin në buzë duke u thënë tifozëve të pushonin, ishte impuls momenti. Kërkoj falje, janë gjëra që ndodhin në futboll. Shyqyr që nuk ndodhi asgjë e rëndë”, u shpreh ai.

Hysaj foli edhe për të ardhmen e tij, duke konfirmuar se aktualisht është pa kontratë dhe po pret të vendosë për klubin e ri.

“Jam pa kontratë. Janë edhe dy ndeshje këtë vit me Kombëtaren. Kam folur me menaxherin, po punon për të gjetur situatën më të mirë dhe më të vlefshme. Për momentin nuk kam asgjë konkrete për të thënë”, deklaroi mbrojtësi kuqezi.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu