
Me ardhjen e temperaturave të larta, jo vetëm njerëzit kërkojnë mënyra për t’u freskuar. Edhe kafshët kanë strategjitë e tyre, ndërsa një nga sjelljet më të zakonshme është ajo që njihet si “sploot” – pozicioni kur kafsha shtrihet barkas me këmbët e shtrira në tokë.
Megjithëse termi nuk është shkencor, ai është bërë aq i njohur sa përdoret çdo vit edhe nga institucione që merren me jetën e egër për të përshkruar këtë sjellje karakteristike.
Shpjegimi qëndron te transferimi i nxehtësisë. Kur një qen, mace apo kafshë tjetër shtrihet mbi një sipërfaqe më të ftohtë, si pllakat, toka në hije apo dyshemeja, nxehtësia kalon nga trupi i ngrohtë drejt sipërfaqes më të ftohtë.
Për qentë dhe macet, temperatura normale e trupit varion mes 37.7 dhe 39.2 gradë Celsius. Duke u shtrirë në një sipërfaqe të freskët, ata humbasin nxehtësi në mënyrë natyrale, veçanërisht nga pjesët e trupit që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me tokën.
Më pas, gjaku që qarkullon pranë sipërfaqes së lëkurës ndihmon në shpërndarjen e këtij efekti ftohës në pjesët e tjera të organizmit.
Ekspertët theksojnë se kjo nuk është mënyra e vetme që përdorin kafshët për t’u freskuar. Në mjediset ujore ftohja ndodh përmes lëvizjes së ujit rreth trupit, ndërsa te njerëzit rolin kryesor e luan djersitja dhe avullimi.
Megjithatë, parimi mbetet i njëjtë: kur temperaturat rriten, organizmat kërkojnë mënyra sa më efikase për të larguar nxehtësinë e tepërt.



