
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është aktualisht në fokusin e shteteve anëtare të Aleancës.
Deklarata u bë gjatë një seance dëgjimore në Kongresin amerikan, ku kongresmeni Keith Self kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke argumentuar se Ballkani mbetet një rajon i ndjeshëm për sigurinë dhe stabilitetin.
Rubio theksoi se kjo nuk do të thotë se dera është e mbyllur për Kosovën, por se aktualisht Aleanca është e përqendruar në sfida të tjera të sigurisë.
“Ajo që kam vënë re është se tani për tani, NATO është shumë e përqendruar në disa çështje të tjera dhe zgjerimi, veçanërisht në rastin e Kosovës, nuk është në plan të parë të agjendës së disa shteteve”, deklaroi ai.
Nga ana e tij, Keith Self argumentoi se integrimi i Kosovës në NATO është i rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë të Ballkanit, duke kujtuar se disa vende anëtare të Aleancës vazhdojnë të mos e njohin shtetin e Kosovës, gjë që mbetet një pengesë për anëtarësimin.
Në diskutim u përmend edhe roli i KFOR-it në ruajtjen e sigurisë në rajon.
Deklaratat e Rubios vijnë në një kohë kur debati për zgjerimin e NATO-s në Ballkan mbetet i ndjeshëm për shkak të tensioneve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe mungesës së konsensusit të plotë brenda Aleancës për anëtarësime të reja.



