
Protesta e katërt radhazi kundër projektit të planifikuar në Zvërnec u shoqërua me tensione, thirrje politike dhe slogane ironike, ndërsa qindra qytetarë marshuan në qendër të Tiranës duke kërkuar anulimin e investimit dhe dorëheqjen e qeverisë.
Një nga thirrjet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte slogani: “Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel”, i drejtuar kryeministrit Edi Rama. Gjatë tubimit nuk munguan pankartat, duartrokitjet dhe koreografitë me dritat e telefonave.
Pavarësisht reshjeve të shiut, protestuesit qëndruan për rreth tre orë në shesh, duke vijuar kundërshtimin ndaj projektit që, sipas tyre, cenon zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe interesin publik.
Tensione pati edhe gjatë marshimit drejt Kryeministrisë. Protestuesit çanë kordonin e policisë të vendosur pranë Hotel Dajtit, i ngritur si pjesë e masave të sigurisë për ndeshjen miqësore Shqipëri-Izrael në stadiumin “Air Albania”.
Megjithëse u përdorën edhe autobotë me ujë për të penguar avancimin e turmës, protestuesit vijuan marshimin dhe mbërritën përpara Kryeministrisë, ku përsëritën thirrjet kundër projektit dhe kërkesat për largimin e qeverisë.
Protestën nuk e ndërpreu as shiu.
Tubimi i së mërkurës shënoi ditën e katërt të protestave kundër resortit të planifikuar në Zvërnec. Ndërsa organizatorët kërkojnë anulimin e projektit, qeveria ka deklaruar se investimi do të vazhdojë.



