
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar se Partia Demokratike mbështet investimet e huaja në Shqipëri dhe se projekti i Sazanit dhe Zvërnecit duhet parë në këtë kontekst.
Berisha kujtoi se që në momentin kur u bë publik interesi i kompanisë “Affinity”, e lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, për të investuar në Sazan dhe Zvërnec, ai kishte shprehur mbështetjen e tij.
“Pavarësisht se ai ishte në opozitë, plotësisht dakord. Arsyeja bazë pse kam thënë po, ka qenë kjo. Sepse i ka paratë”, u shpreh Berisha.
Ai tha se edhe pse kishte dyshime se kryeministri Edi Rama mund të kërkonte të blinte influencë politike përmes këtij investimi, sipas tij interesi kombëtar duhej të prevalonte.
“Nuk kisha asnjë dyshim se Edi Rama po blinte influenca politike. Por përsëri për mua interesi kombëtar, interesi i vendit dilte mbi këtë”, deklaroi kreu demokrat.
Berisha solli në vëmendje edhe rastin e kompanisë “Omnix”, e cila sipas tij ishte larguar nga Shqipëria pavarësisht planit për të investuar 1.5 miliardë euro në Gjirin e Lalzit.
Duke folur për debatin mbi Sazanin, ai kritikoi kundërshtarët e projektit dhe theksoi se ishulli është ofruar prej vitesh për investime.
“Përsa i përket ishullit, ata që qajnë për Sazanin janë një grup hipokritësh. Sazanin në mënyrë absolute ia kemi ofruar investitorëve dhe nuk është një investim i thjeshtë”, tha Berisha.
Sipas tij, vlera kryesore e ishullit qëndron te bimësia dhe natyra e tij, të cilat do të ruhen.
“Asgjë nuk prishet aty. Ka një bimësi të mrekullueshme në një ishull pa ujë dhe ajo bimësi do të ruhet”, u shpreh ai.
Berisha theksoi dallimin mes statusit të pronësisë së Sazanit dhe Zvërnecit, duke nënvizuar se Sazani është pronë publike, ndërsa Zvërneci përbëhet nga prona private.
“Sazani është tokë publike. Zvërneci është tokë private në tërësinë e saj. Është e banueshme, kanë banuar njerëz aty”, tha ai.
Në përfundim, kreu i PD-së ritheksoi qëndrimin e forcës politike që drejton.
“Pra ne mbështesim investimin e huaj”, deklaroi Berisha.



