Dokumente zyrtare të Regjistrit të Pronarëve Përfitues kanë zbuluar identitetin e investitorëve që qëndrojnë pas projektit turistik me vlerë rreth 4 miliardë dollarë në zonën e Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit.

Sipas të dhënave të publikuara, kompania “Albania Land Development”, e regjistruar në Shqipëri dhe e angazhuar në zhvillimin e projektit, zotërohet në mënyrë indirekte nga dy shtetas të Katarit, Mohamad Moataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat, të cilët kanë secili nga 50 për qind të pronësisë përfituese.

Dokumentet tregojnë se kontrolli mbi kompaninë realizohet përmes një rrjeti kompanish të regjistruara në Katar, ku përfshihen Assets International LLC, Assets Real Estate Development WLL, Assets Real Estate Ventures LLC, Power International Holding WLL, Sazan Land Holding LLC dhe Sazan Real Estate Development LLC.

Në strukturën e pronësisë shfaqet edhe Power International Holding (PIH), një nga grupet më të mëdha private të biznesit në Katar, me aktivitet në sektorët e ndërtimit, pasurive të paluajtshme, turizmit, energjisë dhe shërbimeve financiare.

Projekti i planifikuar në Sazan dhe Zvërnec konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike të shpallura ndonjëherë në Shqipëri. Sipas autoriteteve shqiptare, ai synon zhvillimin e një destinacioni turistik luksoz me resorte, marina, hotele dhe infrastrukturë moderne.

Debati për projektin është intensifikuar javët e fundit mes mbështetësve që e konsiderojnë një mundësi historike për zhvillimin ekonomik dhe kundërshtarëve që ngrenë shqetësime për ndikimin në mjedis, pronësi dhe transparencën e procesit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu