Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka cilësuar si të panevojshme zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se vendi nuk duhet të përballet me procese të shpeshta zgjedhore.

Duke komentuar zhvillimet politike në vend, Kurti tha se që nga vjeshta e vitit 2019, kur Vetëvendosje doli për herë të parë qartazi si forca kryesore politike, Kosova ka zhvilluar pesë procese zgjedhore brenda gjashtë vjetësh e gjysmë.

“Prej vjeshtës së vitit 2019, kur kemi dalë për herë të parë qartazi si subjekt politik, për 6 vjet e gjysmë këto janë zgjedhjet e pesta. Përshtypja ime është që prej kur ka fituar VV zgjedhjet, ka një problem të madh me rezultatin, që në këto zgjedhje po merr formën e qartë të një blloku opozitar”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, një situatë e tillë nuk është normale për një republikë demokratike, pasi zgjedhjet duhet të mbahen një herë në katër vjet dhe jo dy herë brenda një viti.

“Zgjedhjet duhet të mbahen një herë në katër vjet, jo dy herë në vit. Pajtohem që këto zgjedhje kanë qenë të panevojshme”, deklaroi ai.

Komentet e Kurtit vijnë në një kohë kur skena politike në Kosovë vijon të përballet me përplasje mes shumicës dhe opozitës për çështje të ndryshme institucionale dhe qeverisëse.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu