
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mohuar çdo marrëveshje politike me Partinë Socialiste lidhur me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, ndërsa paralajmëroi ripërtëritje dhe modernizim të PD-së në prag të Kuvendit Kombëtar.
I pyetur nga gazetarja e RTSH-së, Anisa Kadesha, për ndryshime të mundshme në drejtimin e partisë dhe rikthimin e ish-bashkëpunëtorëve, Berisha deklaroi se organet drejtuese do të votohen nga Kuvendi dhe se një nga motot kryesore do të jetë “ripërtëritja e partisë”.
“Ripërtëritja, organizimi dhe modernizimi do të jenë drejtimet më themelore të punës së Partisë Demokratike”, u shpreh Berisha.
Ai tha se PD po shqyrton modele dhe ekspertiza ndërkombëtare për reformimin e partisë dhe theksoi se ndryshimet do të debatohen dhe zbatohen pas Kuvendit.
Berisha reagoi edhe ndaj akuzave për një “pakt” mes PD dhe PS për rregulloren e re të Kuvendit, duke i cilësuar interpretimet mediatike si të pavërteta.
“Nuk ka asnjë pakt”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar rregulloren e mëparshme jo për përmbajtjen, por për procedurën e miratimit pa konsultim me opozitën.
Ai theksoi se Partia Demokratike shtoi amendamente për të përmirësuar funksionalitetin e Kuvendit dhe nuk pranoi asnjë ndryshim që, sipas tij, cenonte interesat e qytetarëve.
“Nuk është shtuar asnjë germë për interesat e një deputeti apo grupi deputetësh. Jo, të qytetarëve”, tha Berisha.
Lideri demokrat shtoi se PD nuk mund të pranonte që Parlamenti të mbetej pa rregullore dhe mbrojti qëndrimin e opozitës për të çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.






