Një ndërtim pa leje për një beach-bar në vijën bregdetare të Sarandës ka çuar në “shkrirjen” e Komisariatit të Policisë së qytetit, pasi AMP ka ndaluar shefin e komisariatit dhe tre efektivë të tjerë, nën dyshimet për favorizim të një grupi kriminal në këmbim të ryshfetit.

Sipas hetimeve, pas stacionit të plazhit në lagjen nr.1 dyshohet se fshihet një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili dyshohet se ka paguar drejtues lokalë të policisë për të lejuar ndërtimin pa leje në zonën bregdetare.

Prona ku po ndërtohej beach-bari lidhet edhe me emrin e Isuf Jaçajt, i cili u vra me tritol në vitin 2025. Hetuesit dyshojnë se prona është marrë me forcë nga grupi kriminal, ndërsa biznesi rezulton i regjistruar në emër të Arjola Dhrami Bajo, e shpallur në kërkim për ndërtim pa leje.

Çështja ka nxjerrë në pah edhe një seri ngjarjesh kriminale në Sarandë, përfshirë atentatin ndaj Jaçajt, tentativën për të vrarë djalin e tij me tritol dhe konflikte të armatosura për tokat në bregdet.

Të ndaluarit nga AMP janë:

  • Gëzim Bashllari, shef i Komisariatit të Sarandës
  • Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
  • Ajdin Ismailaj, specialist i rendit
  • Robert Çullaj, specialist zone

Ndërsa shefi i Seksionit të Hetimit të Krimeve në Sarandë, Blerim Tafçiu, është pezulluar nga detyra pasi refuzoi të paraqitej për t’u marrë në pyetje nga AMP.

Hetimi nisi pas një denoncimi për ndërtimin pa leje të beach-barit. Policia arrestoi 8 punëtorë dhe shpalli në kërkim pronaren e subjektit, ndërsa IKMT dhe strukturat vendore ndërhynë për prishjen e objektit.

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari reagoi ashpër për ngjarjen, duke deklaruar se në Policinë e Shtetit “nuk ka vend për askënd që bashkëpunon me elementë kriminalë”.

Sipas AMP, efektivët dyshohen për “shpërdorim detyre”, “veprime arbitrare” dhe “mosmarrje masash për ndërprerjen e paligjshmërisë”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu