
Ushtria izraelite ka konfirmuar vrasjen e kreut të krahut të armatosur të Hamasit, Izz al-Din al-Haddad, i konsideruar si një nga organizatorët kryesorë të sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.
Sipas një deklarate të përbashkët të ushtrisë izraelite dhe agjencisë së inteligjencës Shin Bet, Al-Haddad u vra gjatë një sulmi ajror të kryer të premten në Rripin e Gazës.
“Ushtria izraelite dhe Shin Bet njoftojnë se terroristi Izz al-Din al-Haddad është neutralizuar”, thuhet në deklaratë.
Lajmi u konfirmua edhe nga zyrtarë të Hamasit për agjencinë AFP, ndërsa dëshmitarë në qytetin e Gazës raportuan se xhamitë në veri të qytetit njoftuan “martirizimin” e komandantit të Hamasit.
Sipas Izraelit, Al-Haddad konsiderohej një nga figurat kyçe të planifikimit dhe ekzekutimit të sulmit të 7 tetorit, ku militantët e Hamasit sulmuan territorin izraelit, duke shkaktuar qindra viktima dhe rrëmbime.
Ai është zyrtari më i lartë i Hamasit që raportohet i vrarë nga Izraeli që pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA në Gaza.



