
Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Todd Blanche, deklaroi se autori i të shtënave gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë kishte në shënjestër zyrtarë të administratës së Donald Trump, ndërsa vijon të refuzojë bashkëpunimin me hetuesit.
Sipas Blanche, 31-vjeçari dyshohet se kishte si objektiv persona që punojnë në qeveri, përfshirë edhe vetë presidentin. Ai shtoi se ndaj të arrestuarit pritet të ngrihen akuza në një gjykatë federale për sulm ndaj një agjenti federal dhe përdorim të armës së zjarrit me qëllim vrasjen e tij.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, reagoi ashpër, duke e cilësuar ngjarjen si një tentativë për të vrarë presidentin dhe për të shkaktuar viktima mes zyrtarëve të lartë. Ajo bëri të ditur se ndodhej pranë Trump në momentin e incidentit dhe se evakuimi u krye me shpejtësi nga Shërbimi Sekret.
I dyshuari është identifikuar si Cole Thomas Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, i cili sipas autoriteteve kishte blerë ligjërisht armët dhe nuk kishte precedent penal. Ai arriti të depërtojë në ambientet e eventit duke kaluar pikën e kontrollit të sigurisë.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për boshllëqet në sigurinë e eventeve presidenciale, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar motivet e sulmit.
Nëse shpallet fajtor, i dyshuari rrezikon deri në 20 vite burg për sulmin, ndërsa akuzat për armët mund të çojnë në dënime edhe më të rënda.






