Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e 21 prillit në Memaliaj, ku një konflikt i çastit mes disa personave degjeneroi në përdorim armësh zjarri, duke lënë një të vdekur dhe një të plagosur.

Sipas hetimeve të Policisë së Gjirokastrës, viktima është shtetasi E. G., i cili humbi jetën gjatë transportimit për në spital, ndërsa i plagosur mbeti shtetasi D. N., 25 vjeç, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet hetimore rezulton se konflikti fizik ka përfshirë disa persona dhe gjatë përplasjes, dyshohet se E. G. ka qëlluar i pari me armë zjarri, duke plagosur D. N. Më pas, në reagim, dy vëllezërit e të plagosurit, të identifikuar si D. N., 29 vjeç dhe M. N., 28 vjeç, dyshohet se kanë qëlluar në drejtim të E. G., duke i shkaktuar vdekjen.

Policia ka vënë në pranga shtetasit D. N., 25 vjeç dhe A. K., 47 vjeç, për “vrasje me dashje” në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa është arrestuar edhe E. M., 41 vjeç, për pengim të zbardhjes së së vërtetës.

Ndërkohë, dy autorët e dyshuar të vrasjes janë shpallur në kërkim dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjet. Po ashtu, janë proceduar edhe dy persona të tjerë për deklarata të rreme dhe kanosje.

Gjatë kontrollit në vendngjarje janë sekuestruar armë zjarri, municione, automjete, motomjete dhe celularë, që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Policia vijon operacionin për kapjen e autorëve në kërkim, ndërsa hetimet janë në zhvillim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu