
Ekspertja e ekonomisë, Brisida Shehaj, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me procesin e licencimit të “Jet Bank”, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe standardet e ndjekura nga institucionet përgjegjëse.
Sipas saj, Banka e Shqipërisë duhet të kishte kryer verifikime më të thelluara, jo vetëm mbi kompanitë dhe individët e përfshirë, por edhe mbi burimet reale të likuiditetit.
Shehaj theksoi se ligji kërkon që aksionerët të faktojnë kapitalin e tyre dhe të provojnë se fondet nuk janë të huazuara, ndërsa ngriti dyshime për kompanitë e përfshira, të cilat sipas saj janë krijuar rishtazi.
Ajo përmendi se një nga kompanitë është regjistruar në korrik 2025, ndërsa një tjetër në Qipro në gusht të po atij viti, duke sugjeruar se mund të jenë krijuar posaçërisht për këtë proces.
Ekspertja kërkoi gjithashtu më shumë transparencë mbi figurat kyçe të përfshira, si Idan Avishai dhe Oliver Hemmer, duke vënë në dukje nevojën për verifikim të përvojës së tyre bankare dhe burimeve të të ardhurave.
Sipas saj, institucionet duhet të kishin analizuar më thellë edhe mënyrën e bashkëpunimit mes palëve dhe historikun e tyre profesional, përpara dhënies së një licence bankare.






