
TIRANË – Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me sipërmarrës të agroturizmit, ku prezantoi paketat e reja mbështetëse për këtë sektor, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe turizmit të qëndrueshëm në vend.
Gjatë bashkëbisedimit, Rama njoftoi programin e ri “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, i cili synon të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme përmes kredive me interesa më të ulëta dhe garanci sovrane nga shteti. Ky program do të ketë një limit financimi deri në 2 milionë euro dhe do të jetë i aksesueshëm edhe për agroturizmat që kërkojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
Kryeministri theksoi se zhvillimi i agroturizmit nuk lidhet vetëm me shtimin e kapaciteteve akomoduese, por edhe me rritjen e prodhimit dhe përpunimit bujqësor, duke e kthyer këtë sektor në një element të rëndësishëm të eksportit shqiptar.
Një tjetër fokus i takimit ishte “Paketa e Maleve”, për të cilën Rama tha se po njeh interes në rritje në të gjithë vendin. Sipas tij, kjo paketë u jep mundësi qytetarëve të investojnë në tokat e tyre edhe në mungesë të dokumentacionit të pronësisë, përmes një procesi të thjeshtuar dhe të garantuar nga shteti.
Ai sqaroi se kjo nismë nuk është e orientuar drejt investitorëve të mëdhenj, por synon të mbështesë familjet dhe sipërmarrësit e vegjël, duke i dhënë mundësi zhvillimi pronave të trashëguara, sidomos në zonat malore.
Rama theksoi gjithashtu se potenciali i turizmit në Shqipëri mbetet ende i madh dhe i pashfrytëzuar plotësisht, ndërsa paralajmëroi për nevojën e një strategjie afatgjatë që fokusohet te cilësia dhe jo vetëm te numri i turistëve.
Në përfundim, kreu i qeverisë nënvizoi se mbështetja për agroturizmin dhe sektorët e lidhur me të do të vijojë të zgjerohet, duke e konsideruar këtë fushë si një motor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.



