
Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 nga 11 personat e ndaluar gjatë protestës së opozitës më 17 prill, ndërsa për 6 të tjerët është dhënë masa “detyrim paraqitje”.
Pas vendimit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, reagoi ashpër duke akuzuar Policinë e Shtetit për dhunë ndaj protestuesve.
Ai hodhi akuza edhe ndaj gjyqtarit Enkel Peza, duke e cilësuar si të njëanshëm dhe me qëndrime politike, ndërsa shtoi se vendimi është marrë në kundërshtim me rregullat.
“Dhunën në protestë e ushtroi Policia e Shtetit. Gjyqtari është militant politik. Protestat do të vazhdojnë”, u shpreh Noka në deklaratën për mediat.
Ngjarja lidhet me protestën e zhvilluar në kryeqytet, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa opozita paralajmëron vijimin e aksionit politik në ditët në vijim.






