
Sipas deklaratës së Trump në rrjetin social Truth Social, armëpushimi do të nisë në orën 17:00 me orën lokale amerikane, ndërsa synon të ulë tensionet mes dy vendeve pas përshkallëzimit të fundit të konfliktit. Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, e ka mirëpritur marrëveshjen, duke shpresuar se ajo do të mundësojë kthimin e qytetarëve të zhvendosur në shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, nuk ka ende një reagim zyrtar nga Izraeli dhe në njoftimin e Trump nuk përmendet roli i Hezbollah, me të cilin Izraeli ka qenë në përplasje të vazhdueshme. Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se do të ftojë në Shtëpinë e Bardhë presidentin libanez Joseph Aoun dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për bisedime të mëtejshme, me synimin për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.
Njoftimi vjen në një moment kur sulmet ajrore izraelite kanë goditur infrastrukturë kyçe në jug të Libanit, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar dhe e paqartë për vijimin e armëpushimit.






