Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj bëri me dije se rritja e çmimeve ka nisur që nga mesi i muajit mars dhe ka prekur kryesisht perimet, ndërsa produktet e tjera të shportës nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme.

Sipas saj, inflacioni për muajin mars është në nivelin 2.6%, duke u konsideruar i kontrolluar, ndërkohë që monitorimi i çmimeve kryhet çdo ditë për rreth 80 produkte në treg.

Ministrja theksoi se nëse rritja e çmimeve do të zgjerohet edhe në kategori të tjera, qeveria do të ndërhyjë me masa konkrete, duke subvencionuar shtresat që nuk e përballojnë dot këtë situatë.

Sa i përket karburanteve, Ibrahimaj u shpreh se çmimi i naftës është ulur me 10 lekë pas vendimit të Bordit të Transparencës dhe se nuk ka nevojë për ulje të taksës së qarkullimit, pasi sipas saj kjo taksë është e drejtë dhe lidhet me nivelin e konsumit.

Ajo shtoi se aktualisht aplikohet një mekanizëm që parashikon uljen e akcizës me 20% në rastet kur çmimi i karburantit kalon 220 lekë për litër.

Në lidhje me kontrabandën, ministrja deklaroi se po monitorohen të gjitha flukset e karburanteve dhe se shumë shpejt do të nisë sistemi i markimit dhe gjurmueshmërisë, me qëllim rritjen e kontrollit në treg.

Ibrahimaj sqaroi gjithashtu se bizneset në përgjithësi përdorin më shumë energji elektrike, ndërsa përmendi fermerët si kategori që përdor karburant në aktivitetin e tyre.

Në fund, ajo njoftoi edhe ndryshime fiskale, ku parashikohet përjashtimi nga tatimi për rezidentët që gjenerojnë të ardhura jashtë vendit, si dhe lehtësira fiskale për personat e verbër.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu