
Grupi i hakerave iranianë “Homeland Justice” është rikthyer sërish në vëmendje, duke pretenduar se ka kryer një sulm kibernetik ndaj infrastrukturës së disa institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
Në një postim në Telegram, grupi pretendon se ka depërtuar në rrjetet e sistemit gjyqësor dhe ka siguruar dokumente dhe të dhëna sensitive, duke e cilësuar këtë si një “kapitull të ri” të veprimeve të tyre kundër Shqipërisë.
Megjithatë, institucionet shqiptare kanë reaguar duke hedhur poshtë këto pretendime. Prokuroria e Përgjithshme, përmes një njoftimi zyrtar, bën me dije se nga verifikimet e ekspertëve të sigurisë IT nuk janë konstatuar gjurmë kompromentimi apo hakerimi, ndërsa situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Gjykata e Lartë, e cila thekson se nuk ka pësuar asnjë sulm kibernetik. Sipas saj, faqja e përmendur nga hakerat nuk ka lidhje me sistemin e brendshëm apo faqen zyrtare të këtij institucioni.
Ky nuk është rasti i parë që “Homeland Justice” pretendon sulme ndaj institucioneve shqiptare. Në vitet e fundit, grupi është përmendur për sulme ndaj shërbimeve publike online, përfshirë edhe incidente që çuan në përkeqësimin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit.



