Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shuar përfundimisht dyshimet lidhur me kandidimin e tij për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit 2027. Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ai konfirmoi se vendimi është serioz dhe se do ta çojë deri në fund këtë angazhim.

Braçe theksoi se nuk është hera e parë që e shpreh këtë qëndrim, pasi vetëofrimin për të kandiduar e kishte bërë më herët në mbledhjen e Asamblesë së PS, ndërsa tani e ka bërë publik edhe për qytetarët.

Në mesazhin e tij, ai iu përgjigj pyetjes më të shpeshtë që kishte marrë nga ndjekësit: nëse e kishte seriozisht apo jo kandidimin. “Nuk ka ndodhur kurrë që unë të tallem me njerëzit dhe nuk do të ndodhë ndonjëherë. Po, e kam seriozisht dhe do t’i shkoj deri në fund bashkë me ju!”, shprehet Braçe.

Ai nënvizoi se kandidimi nuk lidhet me ambicie personale apo interesa individuale, por me bindjen se ekziston një mundësi reale për ta zhvilluar Tiranën në një dimension të ri, më gjithëpërfshirës dhe në të mirë të qytetarëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu