
Situatë kaotike në aeroportin “Sabiha Gökçen” në Stamboll, ku mijëra udhëtarë, mes tyre edhe shqiptarë, kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra pas anulimit masiv të fluturimeve.
Një qytetar shqiptar denoncon mungesën totale të informacionit dhe organizimit në aeroport, duke thënë se pret prej më shumë se 6 orësh pa marrë një përgjigje të qartë për fatin e udhëtimit.
“Kaos në Stamboll, nuk jep njeri përgjigje. Janë anuluar të gjitha fluturimet, s’ka hotele bosh. Po na thonë për nesër në darkë ose të martën. Nuk dimë çfarë po ndodh realisht”, shprehet ai.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë turma të mëdha pasagjerësh të grumbulluar në sallat e pritjes, ndërsa mungesa e alternativave dhe informacionit ka rritur tensionin mes udhëtarëve.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, shkak i situatës janë kushtet e këqija atmosferike që kanë goditur Stambollin, duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë dhe duke detyruar autoritetet të vendosin kufizime në fluturime për të paktën dy ditë.
Kompanitë ajrore si Pegasus Airlines dhe AJet kanë anuluar dhjetëra fluturime, ndërsa disa avionë janë detyruar të devijojnë drejt aeroporteve të tjera për shkak të problemeve gjatë uljes.
Autoritetet paralajmërojnë se situata mund të vijojë edhe në orët në vijim, nëse kushtet atmosferike nuk përmirësohen, duke lënë mijëra udhëtarë në pritje dhe pasiguri në një nga aeroportet më të ngarkuara të rajonit.



