Kombëtarja shqiptare merr një tjetër goditje para miqësores me Ukrainën. Ernest Muçi është larguar nga grumbullimi i kuqezinjve për shkak dëmtimi, duke mos qenë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për sfidën e 31 marsit në Valencia.

Sipas njoftimit zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit, sulmuesi ka ndjerë shqetësime në pjesën e pasme të kofshës së djathtë. Ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar një edemë muskulare, që kërkon disa ditë pushim, duke e bërë të pamundur rikuperimin në kohë për ndeshjen ndaj Ukrainës.

Pas konsultimit me stafin mjekësor, trajneri Silvinjo vendosi ta lërë të lirë lojtarin, i cili është kthyer në Turqi për të vijuar procesin e rikuperimit.

Ky largim vjen në një moment të mirë për Muçin, i cili po kalon një nga sezonet më pozitive në karrierë me Trabzonsporin. Ai u aktivizua vetëm në minutat e fundit në sfidën ndaj Polonisë, ndërsa pritej të kishte më shumë hapësira në miqësoren e radhës.

Ndërkohë, Kombëtarja ka pasur edhe mungesa të tjera, pasi më herët janë larguar nga grumbullimi Ylber Ramadani dhe Arlind Ajeti. Situata hap më shumë hapësira për lojtarët që nuk u aktivizuan ndaj Polonisë, si Jasir Asani, Klisman Cake dhe Nazmi Gripshi.

Megjithatë, edhe Asani është në dyshim, pasi ka marrë një goditje në gju gjatë stërvitjes së fundit dhe po mbahet nën monitorim nga stafi mjekësor.

Kuqezinjtë vijojnë përgatitjet në Valencia, ndërsa ndeshja miqësore ndaj Ukrainës do të luhet më 31 mars, në orën 20:45, në stadiumin “Estadi Ciutat de València”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu