
Investimet e huaja në Shqipëri vijojnë të rriten, por një pjesë e madhe e tyre po përqendrohet në një sektor të vetëm: pasuritë e paluajtshme. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2025 u regjistruan mbi 1.6 miliardë euro investime të huaja direkte, me një rritje prej 55 milionë euro krahasuar me vitin 2024.
Megjithatë, ajo që bie në sy është dominimi i tregut të pronave. Rreth 561 milionë euro, ose afro 34% e totalit të investimeve, janë orientuar drejt blerjes së pasurive të paluajtshme. Krahasuar me një vit më parë, ky sektor ka shënuar një rritje të ndjeshme prej 182 milionë euro.
Ekspertët e tregut vlerësojnë se Shqipëria mbetet një destinacion tërheqës për investitorët e huaj, për shkak të çmimeve ende relativisht të ulëta të pronave krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe Europës. Por kjo prirje po sjell edhe pasoja për tregun vendas, pasi kërkesa e lartë nga shtetasit jo rezidentë po ndikon në rritjen e çmimeve të banesave.
Pas sektorit të pasurive të paluajtshme, investimet më të mëdha janë regjistruar në aktivitetet financiare me 291 milionë euro, ndjekur nga tregtia me shumicë dhe pakicë me 162 milionë euro, industria nxjerrëse me 161 milionë euro dhe sektori i energjisë elektrike me 132 milionë euro.
Sa i përket origjinës së kapitalit, investimet e huaja në Shqipëri dominohen nga Holanda, Italia, Kosova, Turqia dhe Austria, të cilat kryesojnë listën e vendeve me prani më të madhe financiare në ekonominë shqiptare.



