Pas rritjes së çmimit të naftës, një tjetër goditje pritet për konsumatorët shqiptarë: gruri. Fermerët paralajmërojnë se këtë vit prodhimi vendas do të kushtojë më shumë, duke rrezikuar të reflektohet direkt në çmimin e bukës.

Në zonën e Tërbufit në Divjakë, fermeri Franc Kaloshi, i cili punon rreth 250 hektarë tokë me grurë, misër dhe jonxhë, tregon se kostot janë rritur ndjeshëm. Sipas tij, çmimet e plehrave kimike janë rritur në mënyrë artificiale nga tregtarët, të cilët justifikohen me konfliktin në Lindjen e Mesme.

“Plehrat sivjet kanë marrë një rritje shumë të lartë. DAP ka shkuar deri në 1 milion lekë të vjetra për ton, ndërsa ureja nga 45 mijë në 70 mijë lekë kuintali”, shprehet fermeri.

Situata është përkeqësuar edhe nga kushtet klimatike. Përmbytjet e nëntorit dhe thatësira e marsit kanë varfëruar tokën, duke ulur ndjeshëm rendimentin e grurit.

“Kjo bimë rrezikon të japë një kalli shumë të vogël dhe nuk do të mbulojë as kostot. Vetëm për plehra duhen deri në 40 milionë lekë të vjetra”, thotë Kaloshi.

Rritja e çmimit të naftës është një tjetër faktor që rëndon mbi fermerët. Sipas tij, vetëm për punimin e tokës shpenzimet janë rritur ndjeshëm.

“Jam i detyruar ta blej naftën shumë më shtrenjtë. Kjo të bën të mendosh dy herë para se të ndezësh traktorin”, shton ai.

Fermerët paralajmërojnë se në këto kushte, fabrikat e miellit mund të refuzojnë grurin vendas për shkak të kostos së lartë, duke rritur varësinë nga importet.

Ndërkohë, institucionet përgjegjëse, si Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë, pritet të monitorojnë tregun e plehrave kimike, pasi sipas të dhënave doganore, këto produkte janë importuar më lirë krahasuar me një vit më parë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu