
Qeveria ka rikthyer në funksion Bordin e Transparencës për karburantet, i cili do të mblidhet sot për herë të parë pas riorganizimit, për të marrë një vendim mbi çmimin e ri të naftës në treg.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, i cili deklaroi se bordi po analizon lëvizjet e fundit të çmimeve dhe pritet të dalë me vendimmarrje brenda ditës.
“Bordi do të mblidhet sot dhe do të dalë me një vendim. Po marrim informacion mbi çmimet që kanë lëvizur. Qëllimi ynë është të garantojmë transparencë dhe të shmangim çdo spekulim në treg”, u shpreh Demo pas mbledhjes së qeverisë.
Sipas tij, ndërhyrja e bordit synon të mbrojë konsumatorët nga rritjet e pajustifikuara të çmimeve, në një kohë kur tregu i karburanteve po ndikohet nga zhvillimet ndërkombëtare dhe tensionet në Lindjen e Mesme.
Rikthimi i Bordit të Transparencës vjen në një moment kur çmimet e karburanteve në vend kanë qenë të larta dhe shpesh në qendër të debatit publik, ndërsa qeveria paralajmëron se do të marrë masa për të minimizuar ndikimin tek qytetarët.



