Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare këngëtari dhe kantautori i njohur italian Gino Paoli, një nga figurat më të rëndësishme të muzikës së lehtë italiane.

Lajmi u konfirmua nga familja e tij, e cila bëri të ditur se artisti u nda nga jeta në qetësi. Paoli konsiderohet si një nga themeluesit e shkollës gjenoveze, së bashku me emra të mëdhenj si Fabrizio De André, Luigi Tenco dhe Bruno Lauzi.

Gjatë karrierës së tij, ai la gjurmë me këngë që u kthyen në klasike të muzikës italiane, si “Il cielo in una stanza”, “Sapore di sale” dhe “Senza fine”. Muzika e tij trajtoi temat e dashurisë dhe jetës me një stil të veçantë, duke ndërthurur elementë poetikë me realitetin.

Jeta e tij personale u karakterizua edhe nga episode të vështira, përfshirë një tentativë vetëvrasjeje në vitin 1963, ndërsa në vitet më pas u rikthye fuqishëm në skenë, duke vazhduar aktivitetin artistik për dekada.

Përveç muzikës, Paoli ishte aktiv edhe në politikë, duke shërbyer si deputet në Parlamentin italian në fund të viteve ’80.

Me ndarjen e tij nga jeta, Italia humbet një nga zërat më të rëndësishëm të kulturës dhe muzikës së saj.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu