
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, deklaroi se Brukseli po monitoron me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, përfshirë edhe çështjen që lidhet me Belinda Ballukun.
Duke folur në një forum ndërkombëtar, Kos vlerësoi punën e SPAK, të cilën e cilësoi “të shkëlqyer”, ndërsa theksoi se rëndësi nuk kanë vetëm hetimet, por edhe reagimet që pasojnë këto procese.
“Ka disa çështje, përfshirë rastin Balluku, që ne po i monitorojmë me vëmendje. SPAK po bën një punë shumë të mirë dhe është normale që të hetojë shkelje. Por për ne janë të rëndësishme edhe reagimet ndaj këtyre çështjeve”, u shpreh Kos.
Ajo nënvizoi se lufta kundër korrupsionit në vendet kandidate për në BE mbetet një proces kompleks, që nuk lidhet vetëm me përmirësimin e legjislacionit, por edhe me ndryshimin e qasjes shoqërore ndaj këtij fenomeni.
“Sado i mirë të jetë ligji, nëse korrupsioni pranohet si normalitet, atëherë kemi një problem më të thellë. Ndryshimi i mentalitetit kërkon kohë”, shtoi Komisionerja.
Ndërkohë, ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është nën hetim nga SPAK për dyshime mbi shkelje të barazisë në tendera, që lidhen me projekte infrastrukturore si Tuneli i Llogarasë dhe segmentet e Unazës së Madhe në Tiranë.



