Mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën në orët e para të mëngjesit në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të falur namazin e Fitër Bajramit, duke shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Video

Pas 30 ditësh agjërim, përkushtim dhe reflektim shpirtëror, besimtarët kremtuan një nga festat më të rëndësishme të kalendarit islam, në një atmosferë besimi dhe solidariteti.

Në mesazhin e tij, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, theksoi se lutjet në këtë ditë të shenjtë shkojnë për të gjithë ata që vuajnë nga luftërat dhe padrejtësitë.

Ai u ndal veçanërisht te vuajtjet e njerëzve në zonat e konfliktit, duke përmendur fëmijët që rriten mes frikës dhe familjet që përballen me humbje dhe pasiguri.

“Mesazhi i fesë islame është i qartë: islami është fe e paqes, mëshirës dhe drejtësisë. Bota ka nevojë për më shumë mirëkuptim, më shumë solidaritet dhe më shumë vëllazëri njerëzore”, u shpreh Spahiu.

Ceremoni të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera të vendit. Në Fier dhe Lushnje, besimtarët përcollën mesazhe bashkimi dhe harmonie, ndërsa në Pukë lutjet u fokusuan për ndalimin e luftërave dhe më shumë paqe në botë.

Pas faljes, besimtarët vijuan traditën e vizitave familjare dhe ndarjes së sadakasë për njerëzit në nevojë, duke e kthyer Bajramin në një ditë solidariteti dhe afërsie mes njerëzve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu