Administrata e Kuvendit të Shqipërisë është përballur këtë të martë me një sulm kibernetik në sistemin e IT, duke shkaktuar probleme serioze në aksesin e deputetëve dhe stafit në kompjuterë dhe në adresat e tyre zyrtare të emailit.

Sipas burimeve, që nga mëngjesi i sotëm deputetët dhe administrata nuk kanë pasur akses në sistemet elektronike, ndërsa një pjesë e korrespondencës së email-eve është publikuar në Telegram nga grupi i hakerëve “Homeland Justice”.

Në mesazhin e publikuar në këtë platformë, hakerat pretendojnë se kanë në dorë komunikimet e fundit të Parlamentit.

“Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice. Ne jemi shumë më afër jush sesa mendoni”, thuhet në deklaratën e tyre.

Grupi i hakerimit shoqëron mesazhin me akuza të rënda ndaj institucioneve shqiptare, duke lënë të kuptohet se publikimi i të dhënave mund të vazhdojë.

Mesazh paralajmërues për deputetët

Burime nga Kuvendi bëjnë me dije se në adresat zyrtare të disa punonjësve dhe deputetëve është dërguar një email paralajmërues që u kërkon të mos hapin link-e apo dokumente të dyshimta, pasi mund të përbëjnë rrezik për sistemin informatik.

Në mesazhin e shpërndarë thuhet:

“Ky email vjen nga jashtë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Ju lutemi mos klikoni link-et ose skedarët bashkangjitur, përveç rasteve kur e njihni burimin dhe jeni të sigurt për përmbajtjen.”

Hetimi për dëmet

Sipas vlerësimeve paraprake nga burime brenda institucionit, deri tani nuk ka prova që të dhënat janë transferuar ose vjedhur nga sistemet e Kuvendit.

Megjithatë, autoritetet po vijojnë verifikimet teknike për të përcaktuar shkallën e plotë të sulmit kibernetik dhe për të kuptuar nëse ka pasur rrjedhje të informacionit.

Ky incident rikthen edhe një herë në vëmendje rrezikun e sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shtetërore shqiptare, të cilat në vitet e fundit kanë qenë disa herë në shënjestër të grupeve të hakerëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu