
Ka nisur mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku po prezantohet raporti i deputetëve socialistë lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.
Në fjalën e tij në mbledhje, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, informoi deputetët se pesë anëtarë të këtij grupi kanë depozituar pranë Sekretarisë së Kuvendit raportin rekomandues për shqyrtimin e kërkesës së SPAK.
Balla sqaroi se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme është depozituar në Kuvend më 16 dhjetor 2025 dhe, sipas rregullores, është kaluar menjëherë për shqyrtim nga Kryetari i Kuvendit në Këshillin e Mandateve, Imuniteteve dhe Rregullores.
Sipas tij, këshilli zhvilloi mbledhjen e parë më 22 dhjetor, ndërsa procesi vijoi më pas pas sqarimeve të nevojshme dhe ndërveprimit me Gjykatën Kushtetuese. Mbledhja e fundit e këtij këshilli u zhvillua më 23 shkurt.
Ai theksoi se, sipas rregullores së Kuvendit, çdo deputet në Këshillin e Mandateve ka të drejtën e vet të vlerësimit për këtë çështje.
Balla bëri me dije se pesë deputetët anëtarë të këtij këshilli nga radhët e Partisë Socialiste – ai vetë, Niko Peleshi, Ulsi Manja, Bledi Çomo dhe Bledi Çuçi – kanë përgatitur brenda afatit dyjavor nga përfundimi i mbledhjes një material rekomandues.
“Brenda këtij afati dyjavor nga përfundimi i mbledhjes kemi përgatitur një material rekomandues, për të cilin do të ftoj kolegun Ulsi Manja që të bëjë një përmbledhje për deputetët. Jo të gjithë materialin, pasi materiali është i plotë, por një përmbledhje, ndërkohë që secili prej jush do ta ketë materialin e plotë në vijim të mbledhjes”, u shpreh Balla.






