Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me sulmin ndaj ish-vilës së Enver Hoxha, duke deklaruar se goditja ka ardhur nga besimi i protestuesve se aty banonte kryeministri Edi Rama.

I pyetur nëse largimi i titullarit të Policisë së Shtetit ishte sukses i protestës, Berisha tha se ai ishte “i shënjuar si armik i ligjit dhe bashkëpunëtor i bandave”, por shtoi se dyshon që shkarkimi mund të ketë ardhur për shkak të mosmbrojtjes së vilës.

Sipas tij, fillimisht protestuesit kanë menduar se godina ishte e pabanuar, ndërsa më pas ka qarkulluar informacion se aty banonte Rama. “Fillimi i sulmeve ka ardhur me besimin se aty banon Edi Rama. Urrejtja ndaj Edi Ramës është e pakufishme”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se ka pasur edhe pretendime për një projekt ndërtimi kulle në atë zonë, duke thënë se “njerëz të afërt me Ramën kanë lëshuar idenë se është në projekt kulle”, por theksoi se nuk ka informacion të saktë për këtë.

Berisha shprehu keqardhje për praninë e të huajve në vilë, duke deklaruar se nëse do të ishte ditur se objekti ishte shndërruar në qendër kulturore dhe se aty ndodheshin shtetas të huaj, ngjarja “nuk do të ndodhte”.

Ai kritikoi vendimin për ta kthyer ish-vilën e diktatorit në qendër kulturore, duke e cilësuar këtë si “fyerje për viktimat e regjimit komunist” dhe duke thënë se godina duhej të ishte muze i torturave të diktaturës.

I pyetur nëse protestat do të vazhdojnë me përdorim molotovësh, Berisha u shpreh se protestat e PD-së janë paqësore. Ai pranoi se janë përdorur “mjete piroteknike”, por theksoi se sipas tij nuk ka pasur asnjë polic të plagosur prej tyre, ndërsa akuzoi policinë për plagosje të protestuesve me plumba gome.

Në fund, Berisha përsëriti se ndjen “keqardhje të madhe” për të huajt që ndodheshin në vilë, duke theksuar se ata “nuk kanë qenë objekt i atyre që hodhën mjetet piroteknike”.

Reagimi i tij vjen në një moment tensioni politik, pas protestës së fundit të opozitës dhe zhvillimeve të fundit lidhur me sulmin ndaj ish-vilës së diktatorit në Tiranë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu