
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar pas ngjarjeve të ndodhura gjatë protestës në Tiranë, duke i cilësuar aktet e dhunës si një përpjekje të qëllimshme për të dëmtuar ekonominë shqiptare, për të sabotuar turizmin dhe për të nxirë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Në reagimin e saj, Koçiu thekson se objektivi i vërtetë i kësaj dhune ishte destabilizimi i vendit në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, duke shtuar se ajo që u pa në rrugët e kryeqytetit nuk ishte një protestë demokratike, por një shfaqje e papranueshme dhune që cenon sigurinë publike dhe interesin kombëtar.
Ministrja e Brendshme u shpreh se Shqipëria dhe qytetarët e saj nuk mund të mbeten peng i grupeve që përdorin mjete të rrezikshme për të shkaktuar kaos, ndërsa nënvizoi se goditja e një rezidence ku ndodheshin artistë të huaj përbën një akt të rëndë që dëmton reputacionin e vendit.
Koçiu paralajmëroi se përgjigjja institucionale do të jetë e vendosur dhe në përputhje me ligjin, në mbrojtje të rendit, sigurisë publike dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë.






