Finalizohet ekstradimi nga Dubai drejt Shqipërisë i të shumëkërkuarit Durim Bami.

Policia e Shtetit njoftoi se, në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, mbrëmjen e sotme u konkretizua procedura e ekstradimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe e shtetasit D. B., 47 vjeç, banues në Krujë.

Sipas autoriteteve, ekstradimi u realizua si rezultat i bashkëpunimit dhe besimit mes Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, përmes shkëmbimit intensiv të informacionit dhe bashkërendimit të veprimeve operacionale.

47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi më 15 maj 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:

“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”

“Grupi i strukturuar kriminal”

“Kultivimi i bimëve narkotike”

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”

Në Aeroportin e Rinasit, i shumëkërkuari u mor në dorëzim nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forcat “Shqiponja” dhe Policia e Burgjeve.

Autoritetet shqiptare theksojnë se operacioni është pjesë e angazhimit për lokalizimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu