
Festivali i këtij viti ka kaluar kufijtë e një ngjarjeje thjesht muzikore, duke u shndërruar në një platformë për mesazhe sociale dhe politike. Në qendër të debatit në edicionin 2026 janë jo vetëm performancat në skenën e “Ariston”-it, por edhe qëndrimet e artistëve për konfliktin në Gaza dhe vuajtjet e civilëve.
Gjatë një konference për shtyp, kantautori shqiptaro-italian Ermal Meta foli hapur për mesazhin që përcjell kënga e tij konkurruese “Stella Stellina”. Ai hodhi poshtë idenë se përmendja e territoreve të konfliktit përbën tabu.
“Disa fjalë nuk mund të përdoren, nuk mund të thuash Gaza, nuk mund të thuash Palestinë, sikur të ishte blasfemi. Nuk është kështu. Blasfemia është diçka krejtësisht tjetër: është fakti që ato fshihen,” deklaroi artisti.
Meta theksoi rrezikun e një shoqërie që konsumon tragjeditë me shpejtësi në rrjetet sociale, ku imazhet e luftës përzihen me postime të zakonshme të përditshmërisë. Sipas tij, kjo e bën dhimbjen kolektive të zbehet dhe gjithçka të duket e barabartë.
Nga pozita e tij si prind, ai apeloi që fëmijët “duhet të bëjnë zhurmë dhe jo të detyrohen të heshtin”, duke e cilësuar heshtjen si një nga problemet më të mëdha të botës moderne.






