Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për udhëtimin e tij me helikopter drejt Korçës dhe Vlorës, duke sqaruar se lëvizja u bë në kuadër të shoqërimit të një grupi investitorësh ndërkombëtarë në fushën e arsimit të lartë.

Sipas tij, investitorët mbërritën nga Rinasi në Korçë e më pas në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa delegacioni shqiptar përdori helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili kryen çdo muaj orët e detyrueshme të fluturimit.

Rama theksoi se vizita kishte për qëllim prezantimin e hapësirave të Polit të Dijes në Korçë dhe kompleksit të ri në Vlorë si destinacione me potencial për universitete të mirënjohura ndërkombëtare. Ai shtoi se fluturimi ishte planifikuar më herët, duke qenë se investitorët do të vizitojnë Korçën, Vlorën dhe Tiranën brenda 24 orëve qëndrim në Shqipëri.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë iu përgjigj edhe akuzave lidhur me rrëshqitjen gjeologjike që ka bllokuar një aks rrugor, duke theksuar se bëhet fjalë për një fenomen natyror pa lidhje me përgjegjësi profesionale apo teknike të autoriteteve. Ai solli si shembull një rrëshqitje masive që po ndodh aktualisht në Itali, duke kritikuar mënyrën si, sipas tij, trajtohen fatkeqësitë natyrore në debatin publik vendas.

“Çfarëdo të them unë, tenxheret do të thonë atë që kanë për të thënë dhe në fund karvani do të ecë përpara. Veprat do të jenë të vetmet që do të mbeten”, përfundon reagimi i Ramës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu