Rrëshqitjet e dheut në zonën “Arrat e Gurrës”, në Dragostunjë të Librazhdit, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, duke prekur rrugën kombëtare, një shtyllë të tensionit të lartë dhe një segment të linjës hekurudhore.

Sipas informacioneve paraprake, është dëmtuar segmenti rrugor në aksin që lidh Librazhdin me Prrenjasin, si dhe zona e aksit Qukës–Qafë Plloçë. Terreni i paqëndrueshëm ka shkaktuar shembje dhe zhvendosje masive dheu pranë trupit të rrugës.

Dëmtim në rrjetin energjetik

Nga rrëshqitja është prekur edhe bazamenti i një shtylle 110 kV, pjesë e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike. Specialistët po monitorojnë situatën për të shmangur rrezikun e ndërprerjeve në furnizim.

Ndërpritet qarkullimi hekurudhor

Rrëshqitjet kanë dëmtuar edhe linjën hekurudhore Elbasan–Librazhd–Prrenjas–Gur i Kuq, konkretisht në segmentin Librazhd–Xhyrë, ku janë evidentuar deformime të trasesë dhe zhvendosje të shinave.

Si pasojë, qarkullimi i trenave në këtë segment është ndërprerë përkohësisht deri në një vlerësim të plotë të sigurisë.

Segmenti i prekur ndodhet paralel me rrugën automobilistike dhe pranë lumit Shkumbin, një zonë e njohur për problematika të vazhdueshme me stabilitetin e terrenit.

Autoritetet po ndjekin nga afër situatën dhe pritet të hartohet një plan ndërhyrjeje për riparimin e dëmeve dhe rikthimin gradual të funksionalitetit të segmenteve të prekura.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu