
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla uroi Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, njëkohësisht Zëvendës President i UEFA-s, Armand Duka, për rizgjedhjen në krye të institucionit më të lartë të futbollit në vend.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Balla shprehu besimin se katërvjeçari i ri do të sjellë arritje të rëndësishme për futbollin shqiptar, duke përmendur si objektiva kualifikimin në Kupën e Botës, rikthimin për herë të tretë në Kampionatin Europian, si dhe organizimin e eventeve madhore sportive.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në infrastrukturë, me më shumë fusha futbolli dhe mbështetje për ekipet e moshave, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kampionateve shqiptare.
“Urime Presidentit të FSHF, njëkohësisht Zëvendës President i UEFA, Armand Duka për rizgjedhjen. Besoj shumë se ky katërvjeçar do të mbajë brenda vetes kualifikim në Kupën e Botës, rikthim për herë të tretë në Kupën e Europës, Super Kupën e Europës për klube, Kampionatin Europian U-21, më shumë fusha futbolli dhe më shumë mbështetje për ekipet e moshave dhe kampionatet shqiptare”, shkruan Balla.






