
Një studim i publikuar në revistën shkencore Biological Conservation ka zbuluar se pothuajse gjysma e ujqërve në Itali mbartin gjene të qenit, duke ngritur shqetësime serioze për integritetin gjenetik të kësaj specieje.
Kërkimi, i realizuar nga ekspertë të instituteve zooprofilaktike të Lazios dhe Toskanës, Umbrias dhe Marche-s, si edhe nga Universiteti “La Sapienza” në Romë, analizoi ADN-në e 774 kafshëve të gjetura të ngordhura. Rezultatet tregojnë se 46.7% e individëve të ekzaminuar kishin shenja hibridizimi me qentë.
Studiuesit sqarojnë se kampioni është i rëndësishëm, por jo domosdoshmërisht përfaqësues i të gjithë popullatës së ujqërve në Itali, e vlerësuar rreth 3.500 ekzemplarë. Megjithatë, fakti që analizat janë kryer mbi mostra reale të menaxhuara nga institucione zyrtare e bën rezultatin një sinjal alarmi.
Brenda këtij grupi, 29.5% u klasifikuan si hibride “të fundit”, ndërsa 17.2% si individë me gjurmë më të vjetra gjenetike të qenit. Prania e hibrideve të brezit të parë në vitet e fundit tregon se procesi i kryqëzimit nuk i përket vetëm së kaluarës, por vazhdon ende.
Fenomeni është i përhapur në të gjithë gadishullin italian, me përqindje më të larta në disa rajone perëndimore si Toskana, Lazio, Campania dhe Calabria. Studiuesit theksojnë se shumica e kryqëzimeve ndodhin mes një ujkonje dhe një qeni mashkull, megjithëse janë regjistruar edhe raste të kundërta.
Shkaku kryesor lidhet me praninë e lartë të qenve endacakë, që rrisin mundësinë e kontaktit me ujqërit. Ky realitet ngre pikëpyetje edhe për statistikat zyrtare: sa nga 3.500 ekzemplarët e numëruar janë vërtet ujqër dhe sa janë kryqëzime?
Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e ashtuquajtur “genetic swamping”, një proces që mund të çojë në hollimin progresiv të linjës së pastër të ujkut, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë ruajtjen e species së egër.
Studimi e paraqet Italinë si një rast tipik të pasojave që mund të sjellë një menaxhim i fragmentuar ose i vonuar i fenomenit. Sipas autorëve, integriteti gjenetik duhet të bëhet pjesë thelbësore e politikave të konservimit, sidomos në një moment kur statusi i mbrojtjes së ujkut në Europë është në diskutim.
Vendimi europian për të ulur nivelin e mbrojtjes së ujkut bazohej në rritjen e popullatës pas dekadash rënieje. Por nëse një pjesë e këtyre individëve janë hibride, atëherë edhe strategjitë e ruajtjes mund të kenë nevojë për rishikim të thellë.






