Një tërmet me magnitudë 4.8  të shkallës Rihter ka goditur mbrëmjen e sotme Kosovën, me epiqendër në zonën Prizren–Shtërpcë, duke u ndier në disa rajone të vendit dhe më gjerë në veriperëndim të Ballkanit.

Sizmologu Shemsi Mustafa bëri të ditur se lëkundja është regjistruar në orën 22:05 sipas kohës lokale, me intensitet VI ballë të shkallës Merkalit, çka tregon për një tërmet të ndjeshëm që mund të shkaktojë dëme të lehta materiale.

Sipas të dhënave sizmologjike, epiqendra është lokalizuar rreth 23 kilometra në lindje të Prizrenit, ndërsa thellësia hipoqendrore vlerësohet rreth 5 deri në 10 kilometra.

“Bazuar në Rrjetin Sizmologjik, Shërbimin Gjeologjik të Kosovës dhe Qendrën Sizmike Euro-Mediterane, territori i Kosovës është goditur nga një tërmet me magnitudë 4.8 dhe intensitet VI ballë të Merkalit,” ka deklaruar Mustafa.

Ai theksoi se tërmeti është ndier dukshëm nga qytetarët dhe ka pasur potencial për të rrezikuar jetën e tyre dhe për të shkaktuar dëme materiale, për shkak të fuqisë së tij.

Mustafa shtoi se ky aktivitet sizmik konfirmon se zona e Prizrenit mbetet një zonë sizmogjene aktive, ashtu siç parashikohet edhe në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë.

Dëme të raportuara në Prizren

Pas lëkundjeve, një qytetar nga Prizreni raportoi për dëme materiale në një market, ku janë rrëzuar rafte dhe produkte brenda objektit. Deri më tani, nuk ka raportime zyrtare për persona të lënduar.

Ndërkohë, autoritetet po monitorojnë situatën për të identifikuar dëme të tjera të mundshme.

Komuna e Prishtinës jep udhëzime për qytetarët

Komuna e Prishtinës njoftoi se nuk ka raportime për dëme serioze, por u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në rast të lëkundjeve të tjera.

Qytetarët këshillohen:

  • të qëndrojnë larg dritareve dhe objekteve që mund të bien;
  • të strehohen nën tavolina të forta ose pranë mureve mbajtëse;
  • të mos përdorin ashensorët;
  • të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të informohen vetëm nga burime zyrtare.

Për raste emergjente janë vënë në dispozicion numrat 0800 122 33 dhe 0800 122 44.

Institucionet kanë apeluar për qetësi dhe solidaritet, ndërsa çdo zhvillim i ri pritet të bëhet publik përmes kanaleve zyrtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu