Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se zgjedhjet janë shndërruar në “farsë elektorale” dhe se mandatet po përdoren si mburojë për krime dhe plaçkitje.

Gjatë një takimi me mbështetësit në Tiranë, Berisha u shpreh se vendi ndodhet në një moment kritik, ndërsa sipas tij “mekanizmi i shndërrimit të krimit në votë dhe votës në krim” ka deformuar proceset zgjedhore prej vitesh.

Ai pretendoi se zgjedhjet janë manipuluar që prej vitit 2017 dhe deklaroi se opozita kishte fituar në vitin 2021, por rezultati, sipas tij, u deformua. Berisha akuzoi qeverinë se ka shpërndarë rreth 130 milionë euro në disa qarqe të vendit për të blerë vota, duke i lidhur këto fonde me ndihmat për të dëmtuarit nga tërmeti.

Në vijim, lideri demokrat foli edhe për atë që e quajti “Libri i Zi i zgjedhjeve”, duke thënë se publikimi i tij ka damkosur proceset zgjedhore dhe ka faktuar para ndërkombëtarëve parregullsitë.

Berisha shkoi më tej në akuzat e tij, duke pretenduar se dy ditë para zgjedhjeve janë falur gjoba dhe kamata në vlerën e rreth 2 miliardë eurove, një veprim që sipas tij “asgjëson zgjedhjet e çdo kombi”.

Kreu i PD-së theksoi se legjitimiteti i një qeverie buron vetëm nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve për përballje politike deri në “rikthimin e votës së lirë”.

Nga ana tjetër, nuk ka ende një reagim zyrtar nga qeveria lidhur me këto akuza.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu