
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka reaguar me tone të forta ndaj Sali Berishës gjatë seancës plenare, duke e akuzuar për korrupsion dhe duke i kujtuar shpalljen “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Tani mori urdhrin. Ky do fillojë të bëjë zhurmën që ne, kur zotëri kur fole, dëgjuam. Ulu, jepni urdhër këtij se ky ka këtë porosi. Për këtë punë paguhet,” u shpreh Balla nga foltorja e Kuvendit.
Më tej, ai i kërkoi Berishës të përmbahej në gjuhën e përdorur. “Zotëri, kur ti t’i drejtohesh këtij krahu këtej duhet ta lash mirë gojën, laje mirë gojën sepse edhe për këto që thua zotrote, nxirri ato tani… Ti je i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash,” deklaroi ai.
Balla theksoi se socialistët nuk kanë thënë “asgjë më shumë sesa kanë thënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, duke shtuar se drejtësia shqiptare e ka marrë Berishën të pandehur për korrupsion. “Zotrote je i akuzuar për korrupsion dhe tani të vish këtu dhe të bësh të ndershmin, të flasësh në emër të drejtësisë dhe madje të bëhesh emisar për të sjellë habere të drejtësisë,” tha ai.
Në vijim të debatit, Balla u shpreh se Berisha paraqitet shpesh para drejtësisë, ndërsa shtoi se ka qenë vetë kallëzues ndaj tij. “Do vish këtu dhe do merresh edhe me mua që kam nderin e madh të jetës sime të jem kallëzuesi, njeriu që kam kallëzuar ty,” u shpreh ai.
Debati u zgjerua edhe ndaj deputetes Jozefina Topalli, për të cilën Balla tha se kishte bashkëpunuar më herët kundër Berishës, ndërsa ironizoi rezultatin e saj elektoral në Shkodër dhe në diasporë.
Në fund të fjalës, ai iu drejtua sërish liderit demokrat: “Sali, laj gojën sa herë përmend fjalën Partia Socialiste. Partia Socialiste ta ka dhënë përgjigjen, do ta japim vitin tjetër dhe do ta japim edhe në 2029-ën.”
Balla kërkoi gjithashtu sqarim nga opozita nëse do të marrë pjesë në komisionin e posaçëm, duke theksuar se për këtë arsye kishte kërkuar fjalën në seancë.



