
Prishtina është renditur si kryeqyteti më i lirë në Evropë për sa i përket kostos së jetesës, duke përfshirë qiratë, çmimet e ushqimeve dhe shpenzimet në restorante. Megjithatë, pavarësisht kostove të ulëta, qyteti përballet me një sfidë të madhe ekonomike: fuqia blerëse e qytetarëve mbetet ndër më të dobëtat në kontinent raporton REL.
Sipas të dhënave krahasuese ndërkombëtare, pas Prishtinës në renditjen e fuqisë së ulët blerëse vijnë vetëm disa kryeqytete si Athina, Shkupi, Beogradi, Lisbona, Kievi, Kishinjevi dhe Tirana.
Indeksi i kostos së jetesës matet duke e krahasuar çdo qytet me Nju Jorkun si pikë reference. Nëse një qytet ka indeksin 80, kjo do të thotë se është rreth 20% më i lirë se Nju Jorku. Në të kundërt, një indeks 120 tregon se qyteti është 20% më i shtrenjtë.
Klasifikimi i qyteteve bëhet në disa grupe, nga “Grupi 5”, që përfshin qytetet më të lira, deri te “Grupi 1”, ku renditen kryeqytetet me koston më të lartë të jetesës.
Edhe pse çmimet relativisht të ulëta mund ta bëjnë Prishtinën një destinacion të përballueshëm për banorët dhe vizitorët, ekspertët theksojnë se niveli i të ardhurave dhe fuqia reale blerëse mbeten faktorët kyç që përcaktojnë standardin e jetesës.



