
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi ndërprerjen e fjalës së Sali Berishës, duke iu referuar një videoje nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në Strasburg, ku kreut të PD-së i fiket mikrofoni për shkak të mbarimit të kohës.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla shkruan se Berisha është mësuar me “monologë të pafund” në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa në parlamentet europiane rregullat janë të rrepta dhe koha e fjalës është e kufizuar.
“Bufi është mësuar që përroin psiqik ta zbrazë për minuta pafund në foltoren e Kuvendit. Ndërkohë që në Asamblenë Parlamentare apo parlamentet e Europës koha është 1–2 minuta. Shikojeni si ja ndërpret fjalën drejtuesja e seancës”, shkruan Balla.
Ai shton se nuk dëshiron të komentojë faktin që Berisha, sipas tij, ka shkuar “fshehurazi” në Strasburg, por thekson se rregullat e parlamentit europian duhet të shërbejnë si shembull edhe për Kuvendin e Shqipërisë.
“Është koha që këto rregulla t’i kemi edhe në Kuvend. E paimagjinueshme në Europë diskutime 10 minuta”, thekson më tej Balla.
Reagimi shoqërohet me një video nga seanca në Strasburg, ku drejtuesja e seancës i ndërpret fjalën Berishës, duke i kujtuar se koha e parashikuar për diskutim kishte përfunduar.






