
Minneapolis – Një gjykatës federal në shtetin e Minesotës ka urdhëruar drejtorin në detyrë të Agjencisë Amerikane të Imigracionit dhe Doganave (ICE), Todd Lyons, të paraqitet personalisht në gjykatë këtë të premte, për të shpjeguar pse një i ndaluar për çështje emigracioni nuk ka marrë një seancë për lirimin me kusht brenda afatit të përcaktuar nga gjykata.
Vendimi vjen në mes të tensioneve të forta në Minneapolis, pas vrasjes së shtetasit amerikan Alex Pretti, 37 vjeç, i cili u qëllua për vdekje nga agjentë federalë gjatë një përplasjeje më 24 janar. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta publike dhe politike, ndërsa autoritetet federale janë vënë nën presion të shtuar.
Sipas dokumenteve gjyqësore, gjykata kishte urdhëruar që i ndaluari të merrte një seancë brenda shtatë ditësh, por kjo nuk ka ndodhur. Gjykatësi Patrick Shiltz theksoi se kjo është vetëm një nga dhjetëra raste të moszbatimit të urdhrave gjyqësorë nga ICE në javët e fundit, duke deklaruar se “durimi i gjykatës ka marrë fund”.
Ndërkohë, shefi i Patrullës Kufitare, Gregory Bovino, dhe disa agjentë të tij po largohen nga Minneapolis, pas reagimeve të ashpra për mënyrën se si autoritetet federale trajtuan rastin Pretti. Administrata Trump ka njoftuar se i dërguari për kufijtë, Tom Homan, do të marrë drejtimin e operacioneve në terren dhe do të zhvillojë takime me autoritetet lokale.
Situata ka shkaktuar edhe përplasje politike në Uashington. Senatori demokrat John Fetterman ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, duke e akuzuar për reagim të papërgjegjshëm pas vrasjes. Noem e kishte cilësuar Prettin si “terrorist të brendshëm”, megjithëse pamjet video të verifikuara tregojnë se ai po filmonte me telefon dhe nuk mbante armë zjarri.
Protestat kundër ICE kanë vijuar edhe jashtë një hoteli ku dyshohej se po qëndronte Bovino, me disa persona të arrestuar pas përplasjeve me policinë. Ndërkohë, FBI ka hapur një hetim për përdorimin e aplikacionit Signal nga banorë lokalë për koordinimin e protestave kundër agjentëve federalë.
Kriza rrezikon gjithashtu të sjellë një bllokim të pjesshëm të qeverisë federale, pasi demokratët në Senat kanë deklaruar se nuk do të mbështesin financimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare pa kufizime më të forta ndaj veprimeve të ICE.






