Tiranë – Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, gjatë diskutimit në Kuvend për aktin normativ të rishikimit të buxhetit, deklaroi se treguesit kryesorë makroekonomikë të vendit mbeten pozitivë, por problematika kryesore vijon të jetë mosrealizimi i shpenzimeve publike.

Braçe theksoi se ekonomia shqiptare vazhdon të zgjerohet, inflacioni mbetet në nivele të ulëta brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, eksportet janë në rritje dhe zhvillimet buxhetore janë në përputhje me ecurinë ekonomike. Sipas tij, të ardhurat buxhetore janë më të larta krahasuar me një vit më parë dhe mbi plan, veçanërisht në zërin e sigurimeve shoqërore, duke forcuar qëndrueshmërinë e kësaj skeme.

Deputeti nënvizoi gjithashtu se deficiti buxhetor mbetet brenda nivelit të programuar dhe se rregullat e arta të buxhetit janë respektuar, ndërsa akti normativ nuk përbën barrë për ekonominë kombëtare.

Megjithatë, Braçe shprehu rezerva lidhur me dy sektorë të rëndësishëm të ekonomisë: bujqësinë dhe industrinë, të cilat, sipas tij, vijojnë të shënojnë rënie, duke ngritur pikëpyetje mbi rimodelimin e ekonomisë kombëtare pa përfshirjen e këtyre sektorëve jetikë.

Problematika kryesore, sipas deputetit socialist, mbetet krahun i shpenzimeve publike. Ai theksoi se për të disatin vit radhazi regjistrohen mosrealizime të konsiderueshme, duke parashikuar se viti 2025 mund të mbyllet me rreth 30 miliardë lekë fonde të parealizuara.

Braçe vuri në dukje se në harkun e katër viteve, mosrealizimi i shpenzimeve arrin në rreth 1.2 miliardë euro, një shumë e barabartë me thuajse një buxhet të plotë investimesh publike. Sipas tij, kjo nuk përbën kursim, por një problem serioz të menaxhimit financiar.

Ai solli si shembull sektorin e shëndetësisë, ku sipas Braçes nuk mund të flitet për kursime, në një kohë kur vetë institucionet pranojnë mungesën e fondeve. Deputeti theksoi se mospërdorimi i fondeve në shpenzimet operative dhe në vaksinimin e popullsisë, ku janë regjistruar rreth 1.4 milionë euro të parealizuara, nuk mund të justifikohet si kursim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu