
Strasburg – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një debati në grupin parlamentar të Partive Popullore Europiane (EPP) në Strasburg, mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin për të ashtuquajturën “terapi konvertuese”, e përshkroi situatën në vend si një rrezik serioz për sigurinë e Europës.
Berisha e cilësoi Shqipërinë si një “narkoshtet”, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama se drejton një regjim të lidhur me kartelet e drogës. Sipas tij, këto struktura kriminale dominojnë tregjet e drogës në Europë dhe përdorin Shqipërinë si një qendër të madhe për pastrimin e parave, përmes ndërtimeve, kullave dhe resorteve turistike.
Ai i bëri thirrje vendeve anëtare të Këshillit të Europës dhe parlamenteve përkatëse që të ngrenë zërin kundër asaj që e quajti një rrezik i madh që buron nga Shqipëria, duke theksuar se vendi ka potencial zhvillimi, por sipas tij është zhytur në kriminalitet për interesa elektorale.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te AKSHI, që ai e cilësoi si një strukturë familjare të Kryeministrit Rama, duke pretenduar se aty janë përfshirë individë të lidhur me krimin e organizuar dhe se janë keqpërdorur qindra miliona euro. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për sigurinë e të dhënave, duke deklaruar se informacionet digjitale të Shqipërisë përbëjnë rrezik për rajonin dhe Europën.
Në një debat tjetër brenda grupit të EPP-së, Berisha kritikoi ashpër raportin mbi “terapinë konvertuese”, të cilin e cilësoi si një praktikë çnjerëzore dhe një agresion ndaj fëmijëve. Ai pretendoi se në Shqipëri, në kopshte dhe shkolla fillore, përdoren materiale mësimore që synojnë manipulimin e fëmijëve drejt ndryshimit të gjinisë, duke e lidhur këtë proces me ndikimin e asaj që e quajti ekstremi i majtë dhe fondacionet e Xhorxh Sorosit.
Sipas Berishës, kjo qasje synon vendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Ai theksoi se, ndonëse debatet mbi këtë raport ishin të ndara, në sallë u shprehën rezerva të konsiderueshme, pasi dokumenti, sipas tij, tenton të legjitimojë “terapinë konvertuese” ndaj fëmijëve.






