Komuna e Salice Salentino, në Itali, ka vendosur sinjalistikë të re rrugore për të mbrojtur macet që jetojnë në qendër të qytetit, por edhe për të rritur sigurinë e qytetarëve. “Rallenta. Fai attenzione. Anche noi abbiamo una famiglia” (Ngadalëso. Ki kujdes. Edhe ne kemi një familje), është mesazhi i shkruar në tabelat e reja, të shoqëruara me ilustrime të dy koteleve dhe logon zyrtare të bashkisë.

Janë rreth 20 tabela të vendosura në pika të ndryshme të qytetit, veçanërisht në zonat ku janë regjistruar më shpesh aksidente që kanë përfshirë kafshë dhe aty ku ndodhen koloni macesh. Përveç thirrjes për kujdes dhe ulje të shpejtësisë, tabelat përmbajnë edhe një paralajmërim të qartë: ndalohet keqtrajtimi i maceve ose largimi i tyre nga territori ku jetojnë.

Këshilltari bashkiak Mirko Ianne, delegat për çështjet e endacakëve dhe nismëtari i projektit, shprehet se iniciativa ka ardhur pas kërkesave të vazhdueshme për të parandaluar incidente të rrezikshme.
“Në bashkëpunim me Policinë Lokale kemi dëgjuar edhe një herë propozime për të mbrojtur miqtë tanë endacakë. Këto sinjale duan t’u kujtojnë të gjithëve se respekti është një e drejtë dhe një detyrë: të ngadalësosh dhe të tregosh kujdes do të thotë të mbrosh jetë të pafajshme”, deklaron Ianne.

Edhe kryetari i bashkisë, Mimino Leuzzi, e cilëson nismën si një mesazh më të gjerë qytetar:
“Kjo sinjalistikë nuk është vetëm një thirrje për kujdes në trafik, por edhe një mesazh edukues që promovon bashkëjetesën civile dhe mbrojtjen e kafshëve. Të mbrosh macet do të thotë ta bësh qytetin tonë më të sigurt, më njerëzor dhe më të vëmendshëm ndaj jetës në çdo formë”.

Iniciativa është pritur pozitivisht nga komuniteti dhe konsiderohet një shembull i ndjeshmërisë institucionale ndaj mbrojtjes së kafshëve dhe sigurisë rrugore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu