
Dy vëllezër shqiptarë, persona me precedentë penalë në Greqi, janë arrestuar nga policia greke si autorë të dyshuar të shpërthimit me eksploziv të diskotekës “Jacky.O”, në rrugën Michalakopoulou të Athinës, mbrëmjen e 7 tetorit 2025.
Në pranga kanë rënë Blerim Buci, 41 vjeç, dhe Besmir Buci, 32 vjeç, të dy banues në Tiranë. Përveç akuzës për shpërthimin me eksploziv, ndaj tyre ishte aktiv edhe urdhër arresti për shkelje të kushteve kufizuese të qëndrimit, grabitje dhe shkelje të ligjeve mbi armët.
Si u krye shpërthimi
Sipas hetimeve, 32-vjeçari Besmir Buci ka parkuar automjetin pranë diskotekës dhe më pas është afruar në këmbë drejt objektit, ku ka vendosur dhe aktivizuar pajisjen shpërthyese të improvizuar. Pas shpërthimit, ai është larguar me të njëjtin automjet, ku e priste vëllai i tij, Blerim Buci.
Autoritetet zbuluan se automjeti i përdorur për aktin kriminal u ishte siguruar nga një bashkëpunëtor grek 44-vjeçar.
Çfarë u sekuestrua
Gjatë kontrolleve policore u sekuestruan:
- një thikë palosëse
- 8 telefona celularë
- një pajisje telekomandimi me ekran
- 2 fletore me shënime
- veshje të përdorura gjatë shpërthimit
- automjeti i përdorur për kryerjen e aktit
Dëshmia: “Morëm 5 mijë euro”
Njëri prej të arrestuarve ka pranuar pjesërisht aktin, duke deklaruar:
“Për bombën më punësoi një çift që kishte hesape të vjetra me pronarin e dyqanit dhe më dhanë 5 mijë euro që ta vendosja.”
Sipas policisë greke, shpërthimi kishte karakterin e një “mesazhi paralajmërues”, pasi autorët kishin kërkuar para në këmbim të mbrojtjes së paligjshme. Refuzimi i pronarit për t’iu nënshtruar shantazhit dyshohet se çoi në aktin hakmarrës.
Rezistencë ndaj policisë
Gjatë operacionit, 41-vjeçari Blerim Buci u gjet i fshehur në një zonë të pabanuar. Ai tentoi t’i shpëtonte arrestimit dhe rezistoi me dhunë, duke goditur efektivët me duar dhe këmbë, por u neutralizua dhe u arrestua.
Të dy vëllezërit, të akuzuar edhe më parë për vepra penale si vjedhje, grabitje, mashtrim, dhunë, falsifikim dhe shkelje të ligjit për drogën, janë dërguar pranë autoritetit kompetent të ndjekjes penale në Greqi.






