Gjykata Kushtetuese zhvilloi këtë të hënë një seancë mbi tre orë për të shqyrtuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërkuar zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash me Gjykatën e Posaçme (GJKKO), lidhur me vendimin për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku. Pas parashtrimit të argumenteve nga palët, Kushtetuesja u tërhoq për vendim, ndërsa GJKKO vendosi të mos marrë pjesë në seancë.

Çështja lidhet me vendimin e dhjetorit të kaluar të GJKKO-së, e cila pezulloi Ballukun nga detyra, pasi ajo është marrë e pandehur në kuadër të hetimeve për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Tiranës. Më herët, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur të ngrinte përkohësisht efektet e këtij vendimi, ndërsa në seancën e sotme u shqyrtua kërkesa në themel e kryeministrit.

Përfaqësuesit e Kryeministrisë dhe të Kuvendit argumentuan se pezullimi i një ministri nga gjykata përbën shkelje të Kushtetutës, duke e barazuar efektin e masës me një shkarkim nga detyra. Sipas tyre, ministri gëzon të njëjtin imunitet kushtetues si deputeti dhe çdo masë që e pengon ushtrimin e funksionit duhet të kalojë përmes Kuvendit. “Pezullimi është de facto shkarkim, pasi ndalon pjesëmarrjen në Këshillin e Ministrave dhe ushtrimin e detyrës për një periudhë që mund të barazohet me një mandat të plotë”, u shpreh përfaqësuesja e Kuvendit.

Nga ana tjetër, SPAK u shpreh kundër kërkesës së kryeministrit, duke theksuar se nuk ekziston konflikt kompetencash mes Kryeministrit dhe GJKKO-së. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se masa e pezullimit është e përkohshme dhe është marrë për të shmangur rrezikun e helmimit të provave, duke shtuar se pretendimi se është bllokuar funksionimi i qeverisë nuk qëndron. Sipas SPAK, çdo institucion ka kompetencat e veta të përcaktuara qartë nga Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese.

Seanca u zhvillua në mungesë të përfaqësuesve të GJKKO-së, e cila përmes një reagimi zyrtar njoftoi se nuk do të dërgonte përfaqësues, duke argumentuar se nuk mund të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues ku kërkues është Kryeministri i Republikës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të japë një precedent të rëndësishëm mbi raportet mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu